“U dëgjua një zhurmë e frikshme dhe ra muri!” – Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 trondit Kretën, qytetarët në panik, ndërtesa të dëmtuara
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e sotëm zonën në det të hapur pranë Neapolisit në Lasithi, Kretë, duke shkaktuar panik të madh mes qytetarëve. Lëkundjet u ndjenë në një rreze të gjerë, përfshirë Athinën.
Sipas mediave lokale, qytetarët u zgjuan të trembur dhe dolën jashtë banesave, ndërsa shumë prej tyre dëgjuan një zhurmë të fortë menjëherë pas goditjes. Video të publikuara tregojnë automjete dhe kabllo elektrike që lëkundeshin fuqishëm, teksa dëgjohet zhurma e tërmetit.
Në disa supermarkete janë raportuar dëme materiale, pasi produkte të shumta ranë nga raftet.
Pas tërmetit të parë janë regjistruar nëntë paslëkundje, më e forta prej tyre me magnitudë 3.5 Rihter, ndërsa më e dobëta 2.5 Rihter.
Autoritetet vendore kanë vënë në gjendje të lartë gatishmërie zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente. Automjetet e zjarrfikëses kanë nisur patrullime nëpër zonat urbane dhe rurale, për të kontrolluar dëmet.
Në qytetin e Heraklionit, një pjesë e një ndërtesë neoklasike në rrugën 25 Gushti është rrëzuar. Policia bashkiake ka izoluar menjëherë zonën dhe ka nisur inspektime edhe në ndërtesa të tjera.
Sipas kryetarit të Bashkisë së Heraklionit, Aleksis Kalokairinos, nuk ka një panoramë shqetësuese të dëmeve në qytet, por strukturat po verifikojnë çdo zonë të mundshme problematike, përfshirë edhe shkollat, të cilat deri më tani funksionojnë normalisht.
Për arsye sigurie, është vendosur mbyllja e përkohshme e kanionit të Imbros në zonën e Sfaqiás. Autoritetet janë në pritje të vlerësimit për kanionin e Samarias, ndërsa pritet një vendim nëse do të lejohet qasja në të apo jo.
Sipas Evthymios Lekkas, kryetar i Organizatës për Antisizmikë në Greqi, tërmeti kishte thellësi të konsiderueshme, çka e bën pak të mundshëm rrezikun për cunami. Ai shtoi se nuk priten dëme të mëdha.
Thanasis Ganas, drejtor kërkimesh në Institutin Gjeodinamik, tha se tërmeti ishte i tipit me thellësi të ndërmjetme, ndaj u ndje në një rreze shumë të gjerë, përfshirë edhe zonat më veriore të Greqisë.
Sizmologu Akis Tselentis e konsideroi tërmetin si lëkundjen kryesore, duke shtuar se nuk priten pasoja serioze, por mund të ketë disa paslëkundje deri në 5 Rihter.
Rreth 15 minuta pas tërmetit të parë, ndodhi një tërmet i dytë me magnitudë 3.1 Rihter, me epiqendër 53 km në veri të Neapolisit dhe një thellësi fokale prej 59.4 km.