Elsa Lila flet për qëndrimin në burg dhe pengun më të madh të saj

Këngëtarja Elsa Lila ka rrëfyer në podcastin e kryeministrit Edi Rama dy muajt e saj në qeli në Itali kur u arrestua, pasi u akuzua si pjesëtare e një grupi të trafikut të drogës. Lila e cilëson si ngjarjen më të rëndë në jetën e saj.

“Dy muaj në burg dhe dy javë në izolim në një dhomë pa dritare pa pasqyrë. Ditët janë të gjata nuk mbarojnë kurrë. Nuk ke sensin e orës. Orientohesha me vaktet që servireshin. Nuk kishte as dritë dielli. Është një moment kufiri kur ti e di që je e pafajshme e do të dalësh që aty e kohën e shpenzon për të menduar spiritualisht për të arritur një shkallë më lart ose shkon mbrapsht dhe nuk kthehesh më. Nuk kam ngrënë nuk kam pirë. Nuk kam fjetur në krevat. Kam qëndruar në karrige. U mundova dhe ta dua atë dhomë që të mos shqetësohesha shumë. Muret ishin me emra, data, poezi. Kishte shumë për të parë dhe fantazuar. Kishte shumë energji të lënë aty brenda. E përdora si mjet për meditim dhe jo mjet autoshkatërrimi”, tha këngëtarja.

Elsa ka kujtuar pengun e saj të jetës, që ishte vrasja e nënës së saj në vitin e mbrapsht të 1997-ës.

“Nuk do ndryshoja asnjë pikë e asnjë presje nga çdo gjë që yjësia ka vendosur të eksperimentoja sepse ndryshe unë nuk do isha kjo që jam sot apo ajo që do të jem nesër me të gjitha eksperiencat e tjera që jam e sigurt do më ndodhin, sepse akoma nuk kemi mbaruar, jemi rrugës. E vetmja gjë që do të ndryshoja ndoshta, e vetmja gjë që yjësia atë momentin e mamasë sime ta kishte eliminuar, ta kisha edhe sot. E vetmja, ajo. Pasi nuk ndodhi në mënyrë të natyrshme, por ndodhi në mënyrë artificiale”, tha ajo.

Elsa Lila humbi nënë në vitin 1997. Kujtojmë se Eva Vishaj u gjet e pajetë më 23 maj 1997 e qëlluar me një plumb në kokë pranë kilometrit të 29-të, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.