U arrestuan për masakrën e Dobraçit, Gjykata jep masat për 4 efektivët e “Shqiponjave”
Gjykata e Shkodrës ka dhënë masat e sigurisë për 4 efektivët e forcës “Shqiponja” që u arrestuan nga AMP për atentatin e 30 tetorit me 4 viktima.
Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marte Martini akuzohen për shpërdorim detyre.
Për ta u dhanë masat “Detyrim paraqitje”, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim nga detyra”.
Nga atentati i Dobraçit, mbeten viktima, Hamza Lici, vëllai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici, i cili dyshohet se ishte në makinë me viktimat. Në automjet gjendej edhe Arlind Bushati që humbi jetën pak orë pas atentatit, si dhe çifti Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët u aksidentuar teksa lëviznin me motor në kohën e atentatit.
Në makinën ku u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati janë gjetur tre armë, një prej tyre në sedilen e pasme. Po kështu janë gjetur gjurmë të gjakut në sedilen e pasme të automjetit çka konfirmon se personi i tretë ka mbetur i plagosur dhe kjo gjë ka sjellë kontrolle në klinika private shëndetësore.
Prokuroria po vepron në dy pista për të identifikuar dhe konfirmuar zyrtarisht personin e tretë, janë shenjat e gishtave dhe për këtë gjë po kryhen ende analiza. Ndërkohë që prova tjetër është shfaqja e një personi në pamjet e kamerave të sigurisë pak minuta pas masakrës.