U arrestua pasi regjistroi një pronë me dokumente false, ish-kreu i Kadastrës së Durrësit lidhje familjare me Monika Kryemadhin! Kush është Ardian Kona

Ish-drejtor i Kadastrës së Durrësit, Ardian Kona, i cili u arrestua sot për shpërdorim detyre, pasi ka regjistruar një pronë me dokumente false, rezulton se ka lidhje familjare me deputeten e PL-së Monika Kryemadhi.

Mësohet se Ardian Kona, 52 vjeç, është djali i tezes së Kryemadhit, ish-bashkëshortes së Ilir Metës.

Sipas organit të akuzës, Ardian Kona në bashkëpunim me dy punonjës të Kadastrës kanë regjistruan rreth 13.000m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz në favor të shtetases Arta Demiraj.

Pas lëshimit të urdhërarresteve, u vendos në pranga ish-drejtuesi i Kadastrës, ndërsa janë shpallur në kërkim:

Bledar Zerba me detyrë jurist në ASHK Durrës, Leandro Dervishi me detyrë hartograf në ASHK Durrës dhe Arta Demiraj, përfituese.

Nga hetimi ka rezutuar se 44-vjeçarja, banuese në Tiranë, në bashkëpunim me tre punonjësit e ASHK-së Durrës kanë regjistruar pasurinë e llojit arë me sipërfaqë 12.900 m2 pa asnjë dokument ligjor, pasuri kjo e ndodhur në Lalëz Durrës, e cila më parë ka qenë pasuri me status “shtet”.

“Kjo pasuri u regjistrua në kundërshtim Ligjin nr.9948, datë 07.07.2008 “Për vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë”, i ndryshuar” pasi u regjistrua bazuar në një vendim gjykate i cili detyronte komunën për pajisjen me AMTP. Nga hetimet rezultoi se për këtë pasuri nuk është lëshuar asnjëherë AMTP nga institucionet përkatëse, si dhe nuk ka asnjë dokumentacion apo aplikim në ASHK në lidhje me këtë pasuri”,njofton organi i akuzës.

Gjykata e Durrësit për këtë pasuri ka vendosur ‘Sekuestro preventive”, të kësaj toke.

Kryemadhi në anën tjetër po hetohet nga SPAK, ndërsa ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Gjithashtu po me urdhër të SPAK janë sekuetsruar dy pasuri të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhit.

Policia gjyqësore ka ekzekutuar vendimin duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ndërsa janë njoftuar edhe pronaret e banesave Monika e Fatime Kryemadhi.

Deputetja e Partisë së Lirisë është nën hetim nga SPAK bashkë me ish-bashkëshortin Ilir Meta nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.