U arrestua pasi publikoi votën në rrjetet sociale, kush është Renato Fieri, ish-polic i Rrugores që u përjashtua nga Policia e Shtetit disa vite më parë
Renato Feri, 34 vjeç, është arrestuar në Tiranë, pasi ka fotografuar fletën e votimit dhe e ka publikuar atë në rrjetet sociale, duke shkelur ligjin për fshehtësinë e procesit zgjedhor. Feri, i cili ka qenë pjesë e Policisë Rrugore, u përjashtua nga struktura në vitin 2023 për një ngjarje të tjetër që ndodhi në muajin dhjetor të vitit 2023.
Ai refuzoi të ndalonte pas sinjalizimit të Forcave Shqiponja, ndërsa po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara në afërsi të Pallatit me Shigjeta, duke rrezikuar jetën e efektivëve të policisë. Ai madje i ofendoi ata, përpara se të shtonte shpejtësinë dhe të largohej.
Pas një ndjekjeje, Forcat Shqiponja arritën të ndalonin Ferin në autostradën Tiranë-Elbasan.
Njoftimi i Policisë
Tiranë
Fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi atë në rrjete sociale, arrestohet 34-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas shfaqjes së një postimi në një portal ku një shtetas kishte publikuar fotografimin e fletës së votimit, organizuan punën, identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin R. F., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se ky shtetas ditën e sotme, ka fotografuar fletën e votimit, dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.