U aksidentua rëndë, Mikel Landa humbet ’Giro d’Italia’! Ja çfarë ka pësuar sipas mjekëve

Pas aksidentit të rëndë çiklisti më i pëlqyer për fitoren në edicionin e sivjetshëm të Giro d’Italia, Mikel Landa, ka përfunduar jashtë garës që në etapën e parë, e cila u zhvillua në Shqipëri.

35-vjeçari spanjoll i skuadrës Soudal-Quick Step gjatë një kthese të shpejtë humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë, duke rënë me forcë mbi trotuar pak kilometra para fundit të etapës, pranë zonës së Freskut në Tiranë. Për shkak të dëmtimit të rëndë ai u transportua me urgjencë me barrelë në ambulancë.

Sipas njoftimit të skuadrës së tij në mbrëmje, mjekët kanë konstatuar se Landa ka pësuar një frakturë në vertebrën torakale T11, dëmtim që kërkon pushim absolut dhe qëndrim në pozicion të veçantë për një periudhë të gjatë para se të nisë riaftësimi.

Aktualisht, ai ndodhet i shtruar në një spital në Tiranë ku ka kaluar natën e së premtes.

Gjatë ditës së shtunë, pritet të merren vendime për mënyrën e transportimit të tij në Spanjë, në varësi të rekomandimeve mjekësore.

Rrëzimi i Landa-s është një goditje e madhe për ekipin e tij dhe për vetë garën, pasi ai konsiderohej një prej protagonistëve kryesorë të këtij edicioni të Giro d’Italia.