“Turqit i mbytën udhëheqësit që nuk i donin më/ Gazetari i njohur turk rrezikon 5 vite burg për deklaratat ndaj Erdogan
Gazetari i njohur dhe i pavarur turk, Fatih Altayli, rrezikon një dënim me të paktën pesë vite burg, pasi prokurorët turq e akuzojnë për fyerje dhe kërcënim ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Altayli, i cili ka mbi 1.5 milion ndjekës në YouTube, u arrestua muajin e kaluar dhe ndodhet në paraburgim, në pritje të gjykimit për komentet e tij në një video që publikoi në rrjetet sociale. Në video, gazetari diskutonte një sondazh ku shumica e turqve shpreheshin kundër qëndrimit të përhershëm të Erdoganit në pushtet, duke përmendur në mënyrë retorike dhe historike se “kur turqit nuk i donin më udhëheqësit, i vrisnin ose i mbytën”.
Komentet e Altaylit u interpretuan si kërcënim, duke shkaktuar reagime të forta, përfshirë edhe nga Oktay Saral, këshilltar i presidentit Erdogan, i cili shkroi në Platformën X: “Uji i Altaylit ka filluar të vlojë”.
Sipas televizionit shtetëror turk TRT, aktakuza e ngritur ndaj gazetarit përfshin akuzën për “kërcënim të presidentit”, një vepër që sipas Kodit Penal të Turqisë dënohet me minimum 5 vjet burg.
Vetë Altayli e ka mohuar akuzën dhe ka deklaruar se deklaratat e tij ishin shtrembëruar dhe bënin pjesë në një diskutim historik dhe retorik.