Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ai besonte se Turqia dhe presidenti i saj Recep Tayyip Erdogan qëndronin pas ngjarjeve të fundit në Siri, të cilat rezultuan në rënien e regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad.
“Askush nuk e di se kush është pala tjetër”, tha Trump për zhvillimet e fundit në vendin e shkatërruar nga lufta.
“Por unë e di, Turqia. Erdogan është një tip shumë i zgjuar, e ka dëshiruar këtë për vite me radhë dhe ai e mori. Ata njerëz që u futën janë të kontrolluar nga Turqia dhe kjo është në rregull, është një mënyrë tjetër për të luftuar”.
Duke komentuar situatën në Siri pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad-it, Trump tha se SHBA mund të bashkëpunojë me Turqinë në rajon.
“Turqia është një fuqi e rëndësishme, meqë ra fjala, dhe Erdogan është dikush me të cilin kam kaluar shumë mirë. Ai ka një forcë të madhe ushtarake dhe nuk është lodhur nga lufta. Ai ka ndërtuar një ushtri shumë të forte dhe të fuqishme”, tha Trump.
Trump tha se askush nuk e di se cila është e ardhmja e Sirisë pas Assad-it, por se ai mendon se është Turqia ajo që “mban çelësat” e Sirisë.
“Në fakt, nuk mendoj se e keni dëgjuar këtë nga dikush tjetër, por unë isha shumë i mirë në parashikimin”, tha Trump.