Operatorët turistik teksa kanë bërë një rezyme të shifrave të turistëve dhe të ardhurave që kanë sjellë në vendin tonë shprehen optimist për vitin 2023.
Viti 2022 solli rekord turistësh të huaj dhe operatorët turistikë janë optimistë edhe për vitin aktual.
“7.5 milionë është një shifër e kënaqshme, pavarësisht se presim më shumë turistë spanjollë, nga Britania, Holanda, lindja e mesme e Kina, veçanërisht këto të fundit për turizëm kulturor për ta bërë turizëm gjithëvjetor. Faktorët kryesorë që do ndikojnë në ardhjen e tyre lidhen si me shtimin e linjave loë cost, dhe për spanjollët që pritet të vijnë më shumë për shkak edhe të ardhjes së një brandi spanjoll në rrjetin e hotelerisë në vend,”- thonë ata.
Edhe këtë vit sipas operatorëve pritet një turizëm i organizuar ndërsa synojnë turistët elitar që shpenzojnë më shumë. Për ta duhet më shumë punë si në drejtim të infrastrukturës, ashtu edhe në promovim duke vënë theksin te panairet e turizmit.
Pesha e turizmit në ekonomi po rritet gjithnjë e më shumë. Përgjatë 9-mujorit të vitit të kaluar prurjet e turistëve të huaj sipas Bankës së Shqipërisë arritën në 2.2 miliardë euro.