Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, deklaroi se Shqipëria po përjeton një zhvillim të jashtëzakonshëm në sektorin e turizmit, i cili sipas tij është bërë një shtyllë kryesore e ekonomisë së vendit.
Rama theksoi se Shqipëria ka marrë propozime të rëndësishme investimesh, përfshirë një ofertë nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, për të zhvilluar ishullin e Sazanit, si dhe projekte të tjera të rëndësishme nga kompani të Lindjes së Mesme.
“Turizmi për ne është diçka e re, por që po shohim një zhvillim të jashtëzakonshëm, qoftë nga hapja e maleve për turistët që duan të eksplorojnë natyrën, qoftë nga propozime si ai i Jared Kushner për investime në Sazan. Gjithashtu, kompani të mëdha nga Lindja e Mesme janë duke ndërtuar një port të madh turistik në vendin tonë,” tha Rama.
Kryeministri shtoi se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e turizmit dhe nuk do të lejojë që asgjë ta minojë këtë sektor, të cilin ai e cilësoi si një nga motorët kryesorë të ekonomisë.
“S’ka shans që ne ta minojmë turizmin, pasi është kali ynë i betejës. Në të gjitha renditjet botërore për zhvillimin e turizmit, Shqipëria është krah për krah me vende si Arabia Saudite dhe Katari. Por ata patën Botërorin, ne ende jo,” u shpreh Rama, duke bërë një krahasim me suksesin e organizimit të ngjarjeve globale në rajon.
Në vijim të diskutimeve, Rama u shpreh optimist për rritjen e mëtejshme të interesit për Shqipërinë si një destinacion turistik dhe investimesh strategjike.