Turi çiklistik ul siparin në Fier, ja kush shpallet fitues
Turi ciklistik i Shqipërisë u mbyll sot me etapën e pestë dhe të fundit, e cila u finalizua në Fier, ku u shpallën edhe fituesit e edicionit të 82-të të kësaj gare tradicionale.
Federata Shqiptare e Çiklizmit kishte bërë të ditur më herët itinerarin e ditës së fundit, ndërsa policia rrugore e Fierit njoftoi një sërë bllokimesh të përkohshme në disa akse rrugore për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit. Etapa e pestë filloi në orën 10:00 në bulevardin kryesor të Vlorës, për të vijuar në autostradën Vlorë-Fier, Unaza e Fierit, Fier-Savër, deri në dalje në Levan, për të përfunduar në qendër të Fierit.
Në kuadër të këtij turi janë zhvilluar 5 etapa, duke filluar nga data 26 maj, ku kanë marrë pjesë 14 skuadra dhe 86 sportistë, përfshirë ekipe nga Ballkani dhe Europa. I pari që mbërriti në finish ishte Jovan Divnić, i ekipit malazez, me numër 45, ndërsa ekipi i Amsterdamit u shpall fitues i gjithë turit.
Vetëm pak metra larg finishit, ciklisti i Serbisë, Marko Stanković, ra duke u përplasur në tokë, teksa konsiderohej një prej pretendentëve për fitore. Ekipi më i mirë i etapës së pestë u shpall CCN Metalac i Serbisë, ndërsa fitues i gjithë turit u shpall hollandezi Tom Jokmans.