Tuneli i Llogarasë hapet pa pagesë deri më 15 shtator, lehtësohet ndjeshëm udhëtimi drejt jugut të Shqipërisë
Prej orës 09:00 të mëngjesit të kësaj të shtune, tuneli i Llogarasë është bërë i kalueshëm pa pagesë për automjetet që udhëtojnë drejt Dhërmiut dhe më në jug të Shqipërisë. Me një gjatësi prej 5.9 kilometrash, tuneli ka shkurtuar ndjeshëm distancën nga Dukati në Palas, segment i cili më herët përshkohej për rreth 45 minuta për shkak të kthesave të shumta të Llogarasë. Tashmë, kjo rrugë përshkohet për vetëm 7 minuta.
Hapja e tunelit do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator. Ai kishte qenë i mbyllur që nga viti i kaluar për shkak të punimeve në tunelin e emergjencës.
Qytetarë të shumtë ishin mbledhur që në orët e para të mëngjesit të së shtunës për të kaluar për herë të parë nëpërmjet tunelit, duke shmangur kështu kthesat e Llogarasë dhe duke kursyer kohë udhëtimi.
Drejtuesit e automjeteve e kanë vlerësuar hapjen e tunelit si një zgjidhje shumë të mirë, pasi shmang vështirësitë e terrenit dhe ofron një udhëtim më të sigurt e më të shpejtë.
Ndërkohë, shefi i zjarrfikëses, Luan Kapaj, ka deklaruar se një shërbim zjarrfikës është pozicionuar brenda tunelit të Llogarasë dhe është në gatishmëri për çdo emergjencë të mundshme.