Tryezë diskutimi për kushtet e punës së gazetarëve! AMA dhe Inspektorati i Punës bashkojnë forcat për një media më të sigurt dhe të drejtë
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, organizuan sot një tryezë diskutimi kushtuar kushteve të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias audiovizive në Shqipëri.
Tryeza, e cila u zhvillua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes dy institucioneve, mblodhi së bashku përfaqësues të industrisë mediatike, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me synimin për të adresuar sfidat dhe problematikat që lidhen me të drejtat dhe sigurinë në vendin e punës për punonjësit e medias.
Në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi, theksoi se sektori i medias, veçanërisht ai audioviziv, përballet me një sërë sfidash strukturore dhe profesionale. Ajo u ndal në problematika të tilla si mungesa e kontratave të punës, informaliteti, vonesat në pagesa dhe mungesa e sigurimeve shoqërore, të cilat janë raportuar në mënyrë të përsëritur si nga gazetarët ashtu edhe nga organizatat e shoqërisë civile.
“Sot sektori i medias në përgjithësi dhe ai audioviziv në veçanti, përballet me sfida të shumta. Përveç sfidave që ka sjellë zhvillimi i teknologjisë, kemi dhe problematika të trashëguara nga e shkuara, që kërkojnë vëmendjen tonë. Prandaj kemi vendosur të shkojmë përtej adresimit të sinjalizimeve dhe të ndërmarrim hapa konkretë institucionalë”, deklaroi Krasniqi.
Nga ana tjetër, drejtori i Inspektoratit të Punës, z. Eljo Muçaj, prezantoi rolin e këtij institucioni në garantimin e kushteve të sigurta dhe të drejta pune për gazetarët. Ai evidentoi përdorimin e teknologjisë së avancuar përmes sistemit MIRA (Matrica e Inteligjencës dhe Analizës së Riskut), që ka përmirësuar ndjeshëm procesin e inspektimeve në terren.
Sipas Muçajt, gjatë periudhës 2024-2025, Inspektorati ka kryer 135 kontrolle në subjekte mediatike, ku ankesat më të shpeshta lidhen me: vonesa apo mospagim të pagave, mungesë të pagesave të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, mosrespektim të orëve shtesë dhe procedurave ligjore për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
Tryeza vazhdoi me diskutime konkrete nga vetë gazetarët, të cilët ndanë eksperiencat e tyre të përditshme në terren, duke nënvizuar nevojën për mbrojtje më të madhe ligjore, zbatim efektiv të legjislacionit të punës dhe ndërgjegjësim të punëdhënësve për të garantuar të drejtat e tyre.