Të gjithë e dimë se qelizat e trurit ruajnë kujtimet, por çfarë do të mendonit nëse edhe qelizat e tjera të trupit do të kishin aftësinë për të formuar kujtime? Kjo është ajo që sugjeron një studim i publikuar në “Nature Communications”, i cili ka hulumtuar rolin e qelizave që nuk gjendjen në tru në kujtesë, duke u fokusuar te një veçori neurologjike e quajtur mass-spaced effect (efekti i përsëritjes së ndërprerë).
Studimi zbuloi se ne përvetësojmë më mirë informacionin kur e mësojmë atë në intervale të shpërndara në kohë, në vend që të studiojmë intensivisht në një seancë të gjatë, siç bëjnë shpesh studentët para provimeve.
Shkencëtarët i ekspozuan dy lloje të ndryshme qelizash – nga indet e veshkave dhe nervave – ndaj sinjaleve kimike të ngjashme me ato që transmetohen nga neurotrasmetuesit kur mësojmë diçka të re. Qelizat u përgjigjën duke aktivizuar një “gjen të kujtesës”, të njëjtin që aktivizohet në tru kur formohen kujtime të reja. Për të monitoruar këtë proces, studiuesit i modifikuan qelizat që të prodhonin një proteinë ndriçuese, që sinjalizonte kur gjeni i kujtesës ishte aktiv.
Rezultatet treguan se jo vetëm që qelizat e veshkave dhe ato nervore ishin në gjendje të dallonin mes sinjaleve kimike të zgjatura dhe atyre të përsëritura, por edhe që, kur sinjalet u dërgoheshin me ndërprerje, gjeni i kujtesës aktivizohej me intensitet më të madh dhe për një periudhë më të gjatë kohe. Kjo dëshmonte se të mësuarit ishte më i efektshëm. “Studimi ynë tregon se aftësia për të mësuar përmes përsëritjeve të ndërprera nuk është vetëm karakteristikë e qelizave të trurit, por mund të jetë një veti themelore e të gjitha qelizave,” shpjegon Nikolay V. Kukushkin, koordinatori i kërkimit.
Kjo zbulim, sipas studiuesve, do të ndihmojë për të kuptuar më mirë si funksionon kujtesa dhe për të zhvilluar metoda më efektive për ruajtjen e informacionit dhe trajtimin e çrregullimeve të kujtesës. “Në të ardhmen, duhet ta trajtojmë trupin si trurin, duke marrë parasysh se si pankreasi ‘mban mend’ vaktet tona të mëparshme për të ruajtur nivele të duhura të glukozës në gjak, ose duke qenë të ndërgjegjshëm se një qelizë kanceroze ka ‘kujtesë’ të kemoterapisë së kaluar,” përfundon Kukushkin.