Trupi i pajetë i një prej pengjeve të kthyer nga Hamasi nuk ishte i izraelites Shiri Bibas, Netanyahu: Do paguani për këtë shkelje mizore të marrëveshjes

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për kundërpërgjigje sot (të premten) pasi grupi militant palestinez Hamas nuk dorëzoi eshtrat e shtetases izraelite Shiri Bibas, siç kishin rënë dakord.

Deklarata e Kryeministrit Netanyahu erdhi pasi specialistët izraelitë thanë se një nga katër trupat e dorëzuar nga Hamasi dje (të enjten) ishte i një gruaje të paidentifikuar. Hamasi më pas njoftoi se do ta shqyrtojë këtë pretendim dhe do t’i shpallë rezultatet. Këto zhvillime ndodhën ndërsa Shtetet e Bashkuara po nxisin palët të vazhdojnë përpjekjet për fazën e dytë të amrëpushimit

Nga katër arkivolet e kthyera nga Hamasi të enjten, autoritetet izraelite identifikuan vetëm tre trupa: eshtrat e Oded Lifshitzit, i cili ishte 83 vjeç kur u rrëmbye, dhe dy fëmijë të familjes Bibas.

Trupi i tretë nuk ishte i izraelites Shiri Bibas, nënës së dy fëmijëve të identifikuar ashtu siç pretendoi Hamasi. Izraeli akuzoi grupin terrorist palestinez për shkelje të rëndë të marrëveshjes së armëpushimit, që përfshinë shkëmbimin e pengjeve izraelite që mbahen në Gazë me palestinezë të burgosur nga Izraeli.

“Ne do të veprojmë me vendosmëri për ta sjellë Shirinin në shtëpi së bashku me të gjithë pengjet tanë, të gjallë dhe të vdekur. Ne do të sigurohemi që Hamasi do të paguajë çmimin e plotë për këtë shkelje mizore të marrëveshjes”, tha ndër të tjera Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

 Grupi palestinez tha sot (të premten) përmes një deklarate se do të shqyrtojë mundësinë e një gabimi pas akuzave nga Izraeli se dorëzoi eshtrat e një personi që nuk i përkasin asnjërit prej atyre që mbahen peng nga Hamasi.

Dhjetra pengje ende mbahen në Gazë, përfshirë Guy Gilboa-Dalal.

Zëri i Amerikës foli me vëllain e tij, Gal.

“Gjithçka që bëjmë është për vëllain tim. Gjithçka që bëjmë është ta kthejmë atë. Gjithçka që na intereson është ta shohim përsëri. Na mungon shumë”, thotë ai.

Tridhjetë e tre pengje u liruan në fazën e parë të armëpushimit. Kthimi i tyre rriti trysninë ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për të negociuar fazën e dytë.

Megjithatë, përfaqësues të të djathtës së skajshme në qeverinë izraelite duan që lufta për të shkatërruar përfundimisht Hamasin të vazhdojë.

Edhe Uashingtoni bëri trysni për vazhdimin e negociatave. Sekretari i Shtetit Marco Rubio ishte në Izrael në fillim të javës, duke u përpjekur për të siguruar fazën e dytë të armëpushimit. Analistët thonë se kjo nuk do të jetë e lehtë.

“Është e mundur që të bien dakord të zgjasin fazën e parë ndërsa negocojnë fazën e dytë. Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje formale nga të dyja palët se si do të duket saktësisht faza e dytë, mendoj se është mjaft e ndërlikuar”, thotë Ellen Laipson nga Universiteti “George Mason”.

Presidenti Donald Trump ka thënë vazhdimisht se dëshiron të marrë nën kontroll Gazën dhe ta rindërtojë atë në, siç e quajti ai, ‘Rivierën e Lindjes së Mesme’.

Të enjten, këshilltari i sigurisë kombëtare, Mike Waltz, tha se Rripi i Gazës është një “ferr”.

“Në Gazë ka shumë mjete të pashpërthyera, mbeturina kudo, nuk ka sistem kanalizimi, nuk ka ujë. Presidenti Trump ka paraqitur një plan që trajton situatën në mënyrë praktike prej të cilit po vuajnë 1.8 milionë banorë të Gazës”, thotë zoti Waltz.

Udhëheqësit arabë kanë refuzuar planin e Presidentit Trump. Ata i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për takim të Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman. Presidenti Trump kërkoi së fundmi ndihmën e princit saudit për bisedimet midis Uashingtonit dhe Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Disa analistë thonë se kërkesa e Presidentit Trump për Gazën mund të jetë një përpjekje për të ndryshuar status quo-në.

“Sa e suksesshme ishte kjo përpjekje mbetet për t’u parë. Deri më tani, e vetmja gjë që kemi parë është shtimi i përpjekjeve nga Egjipti dhe në një farë mase nga qeveria saudite për të rindërtuar Gazën, pa larguar popullin palestinez nga atje”, thotë Ahmed Fouad Alkhatib nga Këshilli Atlantik.

Propozimi egjiptian parashikon mbledhjen e një fondi prej 20 miliardë dollarësh për tre vjet nga shtetet arabe dhe të Gjirit për rindërtimin e Gazës. Ai përjashton Hamasin nga një komision qeverisës palestinez në Gazë, të cilin grupi militant thotë se mund ta pranojë. Megjithatë, është e paqartë nëse atë do e pranojnë Izraeli apo Presidenti Trump.

“Nuk e kam parë. Sapo ta shoh planin, do t’ju njoftoj”, tha së fundmi Presidenti Trump./voa