Trupat zhduken pa gjurmë! Sa larg duhet të jesh për të mbijetuar një shpërthim bërthamor?

Nëse një bombë bërthamore shpërthen, mbijetesa varet nga një element: largësia. Por edhe kjo nuk të garanton shpëtim. Një modelim i fundit nga AsapSCIENCE tregon se çfarë do të ndodhte nëse një bombë bërthamore prej 1 megaton – rreth 80 herë më e fuqishme se ajo e hedhur mbi Hiroshimë – do të shpërthente.

Në pikën zero, temperaturat mund të arrijnë 100 milionë gradë Celsius, më shumë se në bërthamën e Diellit. Çdo gjë pranë zhduket menjëherë. Trupat nuk digjen, zhduken. Kockat shndërrohen në pluhur dhe ajri vetë kthehet në armë.

Por edhe më larg, pasojat janë shkatërruese:

✅ Djegie të shkallës së tretë deri në 8 kilometra larg.

✅ Djegie të shkallës së parë deri në 11 kilometra, në varësi të motit dhe rrobave.

✅ Verbim i menjëhershëm nga ndriçimi i shpërthimit deri në 21 kilometra larg ditën dhe deri në 85 kilometra natën.

Vala goditëse është po aq vdekjeprurëse. Brenda 6 kilometrave, era arrin shpejtësi mbi 255 km/h, duke shembur ndërtesa dhe hedhur njerëzit tej. Më afër shpërthimit, kjo shpejtësi kalon 750 km/h, duke rrënuar çdo strukturë.

E pastaj vjen rrezatimi. Grimcat helmuese përhapen për qindra kilometra, ndotin tokën, ajrin e ujin. Gjurmë nga testet e Luftës së Ftohtë janë gjetur deri në fund të Hendekut të Marianës, dëshmi e rrezikut të përhapjes globale.

Ekspertët thonë se për të pasur gjasa për të mbijetuar valës fillestare, duhet të ndodhesh më shumë se 30-40 kilometra larg, të jesh brenda një ndërtese dhe në drejtim të kundërt të erës. Por kjo nuk do të thotë siguri – vetëm pak më shumë kohë para se pasojat, përfshi ndotjen radioaktive dhe dimrin bërthamor, të mbërrijnë.