Trupat e IDF qëllojnë me armë drejt delegacionit diplomatik nga vendet arabe dhe evropiane në Jenin – BE dhe Spanja reagojnë ashpër
Një incident i rëndë diplomatik është regjistruar në Jenin të Bregut Perëndimor, ku trupat e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë qëlluar me armë paralajmëruese ndaj një delegacioni diplomatik prej rreth 25 personash, përfaqësues të vendeve arabe dhe evropiane. Lajmi është raportuar nga mediat izraelite, duke cituar burime palestineze në terren.
Delegacioni ndodhej në një vizitë zyrtare në Jenin, zonë e njohur për përplasjet e vazhdueshme, me qëllim vëzhgimin e situatës në Bregun Perëndimor. Sipas një deklarate të zëdhënësit të IDF, vizita ishte e koordinuar dhe delegacionit i ishte caktuar një rrugë e miratuar për shkak të prezencës së tyre në një zonë të konfliktit të armatosur.
Megjithatë, IDF pretendon se delegacioni devijoi nga rruga e autorizuar, duke hyrë në një zonë ku nuk lejohej të qëndronin. Në atë moment, ushtarët izraelitë qëlluan në ajër me qëllim paralajmërimi dhe për të larguar delegacionin nga zona. Ushtria konfirmoi se nuk pati të lënduar dhe deklaroi se “ndjen keqardhje për shqetësimin e shkaktuar”.
Radioja e Ushtrisë izraelite raportoi gjithashtu se IDF do t’u kërkojë ndjesë përfaqësuesve të vendeve të përfshira në delegacion, përfshirë diplomatët nga Spanja dhe Kanadaja.
Reagimet ndërkombëtare
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe vendeve të përfshira. Ministrja e Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi incidentin si të papranueshëm:
“Çdo kërcënim ndaj jetës së diplomatëve është i papranueshëm,” u shpreh Kallas për gazetarët në Bruksel, sipas agjencisë AFP.
Edhe Ministria e Jashtme e Spanjës reagoi me një ton të ashpër duke dënuar fuqimisht veprimin e IDF:
“Në grupin e diplomatëve kishte një spanjoll i cili është mirë. Ne jemi në kontakt me vendet e tjera të prekura për të koordinuar një përgjigje ndaj asaj që ndodhi, të cilën e dënojmë fuqimisht,” thanë burimet zyrtare nga Madridi, të cituara nga AFP.
Pas incidentit, ushtria izraelite ka nisur një hetim të brendshëm për të analizuar rrethanat e ndodhura. Komandanti i Administratës Civile, Gjeneral Brigade Hisham Ibrahim, ka informuar përfaqësuesit e vendeve të përfshira mbi gjetjet e para të hetimit.
Ngjarja rrezikon të përshkallëzojë tensionet diplomatike midis Izraelit dhe Bashkimit Europian, si dhe vendeve arabe, në një kohë kur situata në Bregun Perëndimor mbetet tejet e brishtë.