“Trupa të djegur dhe…”/ Të mbijetuarit e tragjedisë në Koçan rrëfejnë tmerrin e përjetuar: Motra ime ka humbur, nuk po e gjejmë në asnjë spital

Një situatë e tensionuar është krijuar në oborrin e spitalit të Koçanit, ku familjarët po kërkojnë me çdo kusht trupat e të afërmve të tyre. Pas një tragjedie që ndodhi me shpejtësi, dhimbja, trishtimi dhe frika ishin të dukshme në sytë e atyre që prisnin informacion për të afërmit e lënduar.

Një e mbijetuar rrëfeu se motra e saj kishte humbur dhe nuk mund të gjendej në asnjë spital. Ajo përshkroi situatën tmerruese ku njerëzit u përpjekën të shpëtonin jetën, ndërsa disa trupa të djegur ishin të dukshëm. E mbijetuar tha se gjithçka ndodhi shpejt, dhe ajo kishte djegie në kokë dhe duar.

“Një zjarrfikës më tërhoqi dhe pastaj asgjë nuk mbaj mend”, tha ajo, duke shtuar se ajo ishte e ftuar dhe ngjarja ndodhi rreth orës 3:30.

Pjesëmarrësit dhe qytetarët ishin të tmerruar nga tragjedia. Një familjar rrëfeu se i biri i një miku punonte si sigurim dhe u helmua me monoksid gjatë tërheqjes, duke e cilësuar ngjarjen si të frikshme dhe të padurueshme.

Kryetari i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, njoftoi se për momentin nuk kishte nevojë për dhurim të gjakut, pasi rezervat e sistemit shëndetësor ishin të mjaftueshme, por theksoi se ata do të ishin në gatishmëri për çdo nevojë eventuale.

Fatkeqësia ka lënë pas një gjendje të rëndë emocionale dhe trupore për të gjithë ata që përjetuan këtë tmerr.