Trump zbulon planin e tij për të ndaluar mbylljen e TikTok në SHBA: Do t’i japim aplikacionit një afat…
Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump deklaroi në një intervistë për “Meet the Press” të NBC News se po shqyrton mundësinë për t’i dhënë aplikacionit TikTok një zgjatje 90-ditore për t’u përballur me kërkesën për t’iu shitur një kompanie jo-kineze, përndryshe përballet me një ndalim të mundshëm në SHBA.
“Ky është një opsion që po e shikojmë. Zgjatja 90-ditore është një mundësi e logjikshme dhe e përshtatshme. Por do të duhet ta analizojmë me kujdes,” tha Trump. Ai shtoi se vendimi për këtë çështje mund të shpallet të hënën, kur ai të marrë zyrtarisht detyrën.
Afati aktual për TikTok për të plotësuar kërkesat për ndryshimin e pronësisë përfundon të dielën, por një zgjatje e mundshme nga administrata e re e Trump mund të mos jetë e mjaftueshme për të shmangur mbylljen e përkohshme të aplikacionit. TikTok ka paralajmëruar se, në mungesë të qartësisë ligjore, aplikacioni mund të ndalojë së funksionuari përkohësisht që të dielën.
Administrata aktuale e Bidenit e ka lënë çështjen në duart e Trumpit, duke e cilësuar atë përgjegjësi të administratës së re. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, e quajti paralajmërimin e TikTok një “marifet”, duke theksuar se nuk ka arsye që aplikacioni të ndërpresë shërbimin në këtë fazë.
Nga ana tjetër, përdoruesit e shumtë të TikTok në SHBA po presin me ankth një vendim përfundimtar, teksa fati i aplikacionit popullor mbetet i pasigurt. Zgjatja e afatit 90-ditor, nëse miratohet, mund të sigurojë një frymëmarrje për TikTok dhe mundësinë për të negociuar një zgjidhje për të shmangur ndalimin e tij në SHBA.