Trump zbardh bisedën me Zelenskyn në Vatikan: Dëshiron të bëjë një marrëveshje, më kërkoi më shumë…

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shfaq “më i qetë” dhe më i hapur për të arritur një marrëveshje paqeje me Moskën gjatë takimit të tyre të fundjavës në Vatikan.

Duke folur me gazetarët para se të hipte në Air Force One të dielën, Trump tha se toni i diskutimit me Zelenskyn ishte ndjeshëm më i ndryshëm nga takimi i tensionuar që kishin pasur në Zyrën Ovale në muajin shkurt, kur delegacioni ukrainas u dëbua nga Shtëpia e Bardhë pas një përplasjeje.

“Unë e shoh atë si më të qetë. Mendoj se ai e kupton situatën. Dhe mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Nuk e di nëse ai dëshironte më parë, por tani duket i gatshëm,” u shpreh Trump.

Në një intervistë për revistën Time në fillim të javës, Trump kishte theksuar se “Krimea do të qëndrojë me Rusinë” në çdo marrëveshje të mundshme paqeje, duke shtuar se edhe Zelensky “e kupton” këtë realitet, pavarësisht qëndrimeve publike kundër. I pyetur nëse Zelensky është tani i përgatitur të heqë dorë nga gadishulli, Trump u përgjigj: “Po, unë mendoj se po.”

Ndërkohë, Zelensky ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Krimenë si territor rus – një qëndrim që Trump e ka kritikuar më parë si të dëmshëm për përpjekjet për paqe.

Gjatë bisedës në Vatikan, Trump tha gjithashtu se Zelensky i kërkoi përsëri mbështetje ushtarake shtesë nga Shtetet e Bashkuara.

“Ai më tha se i duhen më shumë armë, por ai e ka thënë këtë për tre vjet,” u shpreh Trump, duke nënvizuar se Ukraina është në një “situatë shumë të vështirë”, përballë “një force shumë më të madhe”, dhe kujtoi se administrata e tij kishte dhënë ndihmë në vlerë prej 350 miliardë dollarësh.

“Ai ka nevojë për më shumë armë dhe ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në lidhje me Rusinë,” shtoi Trump, duke shprehur njëherazi zhgënjim për sulmet e përtërira të Moskës ndaj objektivave ukrainase.

Pas një armëpushimi të shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin për festat e Pashkëve, luftimet kanë rifilluar me intensitet, me ushtrinë ruse që ka kryer sulme të shumta me rreze të gjatë ndaj objektivave ushtarakë dhe industrialë ukrainas. Moska ka deklaruar se synon vetëm instalimet ushtarake, duke mohuar akuzat për goditje ndaj objektivave civile.

Ndërkohë, Kremlini ka rikonfirmuar gatishmërinë e tij për bisedime pa parakushte me Kievin. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur se kjo çështje u trajtua edhe në një takim të zhvilluar të premten midis presidentit Putin dhe të dërguarit special të Trump, Steve Witkoff.