Trump “thyen traditën”: Fjalimi historik i inaugurimit zhvendoset brenda Kapitolit, arsyeja e papritur
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka njoftuar se ceremonia e tij e inaugurimit do të zhvillohet në Rotondën e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, në vend të ambientit të hapur, për shkak të parashikimit të motit të acartë në Uashington DC më 20 janar.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se prioriteti i tij është siguria e qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni, përfshirë forcat policore dhe të ftuarit. Sipas tij, temperaturat e ulëta dhe kushtet e rrezikshme për shkak të një vale të acartë nga Arktiku e kanë bërë të nevojshme këtë vendim.
Trump përmendi gjithashtu precedent historik, duke kujtuar se ceremonia e Ronald Reagan në vitin 1985 gjithashtu u zhvillua brenda Rotondës së Kapitolit për shkak të motit të ngjashëm.
Postimi i Trump në Truth Social:
“20 janari nuk mund të vijë më shpejt! Parashikimi i motit për Uashington, DC, mund t’i çojë temperaturat në nivele të ulëta. Nuk dua të shoh njerëz të lënduar për asnjë arsye. Prandaj, kam urdhëruar që Fjalimi i Inaugurimit, përveç lutjeve dhe fjalimeve të tjera, të mbahet në Kapitol Rotunda.”
Trump shtoi se ceremonia brenda Kapitolit do të jetë një përvojë e veçantë për të gjithë, duke theksuar se do të jetë një moment historik për audiencën e madhe televizive.
Inaugurimi pritet të shënojë fillimin e administratës së re të Trump, e cila ka tërhequr vëmendje globale që prej shpalljes së fitores.