Trump sulmon Zelenskyn: Mosmirënjohës, mori 350 miliardë dollarë nga SHBA si karamele nga një fëmijë

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e quajtur “mosmirënjohës” për ndihmën financiare të dhënë nga SHBA për Ukrainën.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se Zelensky ka përfituar fonde nga administrata e Joe Biden me lehtësi të madhe.

“Ai është një djalë i zgjuar dhe i ashpër. Ai mori para nga SHBA-ja kur president ishte Biden, njësoj si të marrësh karamele nga një fëmijë. Kaq e lehtë ishte. Ne i dhamë atij 350 miliardë dollarë,” u shpreh Trump.

I pyetur për mundësinë që Ukraina të mos mbijetonte pa ndihmën amerikane, Trump tha: “Mund të mos mbijetojë edhe nëse ndihma vazhdon.”

Ai gjithashtu theksoi se “askush nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë sesa Trump,” duke shtuar se këtë do ta pranonte edhe vetë presidenti rus Vladimir Putin.