Trump ‘sulmon’ Putinin pas takimit me Zelenskyn: Ndoshta nuk dëshiron të ndalojë luftën!

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas takimit të tij me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, që u zhvillua në Vatikan, përpara funeralit të Papa Françeskut.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump ka kritikuar ashpër presidentin rus Vladimir Putin, duke u ndalur tek një sulm me raketa në zonat civile të Ukrainës, ku humbën jetën 12 persona.

“Nuk kishte arsye që Putin të sulmonte me raketa në zonat civile. Më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron të ndalojë luftën”, shkruan Trump.

Takimi mes Trump dhe Zelenskyt në Bazilikën e Shën Pjetrit u zhvillua në mënyrë të shkurtër dhe detajet mbi bisedën mes tyre mbeten ende të paqarta.

Vetë Zelensky e cilësoi këtë takim si “shumë simbolik që ka potencial të bëhet historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta”.