Trump “shtron” iftar në Shtëpinë e Bardhë, mesazh për myslimanët: Jam pranë jush!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, organizoi të enjten darkën tradicionale të iftarit në Shtëpinë e Bardhë, ku shprehu mirënjohjen e tij ndaj komunitetit mysliman amerikan për mbështetjen e tyre në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024.

“Dua të shpreh një falënderim të veçantë për qindra mijëra myslimanë amerikanë që na mbështetën me një numër rekord votash në zgjedhjet presidenciale. Komuniteti mysliman ishte për ne në nëntor, dhe unë, si president, do të jem pranë jush,” u shpreh Trump gjatë fjalës së tij.

Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e muajit të shenjtë të Ramazanit, duke theksuar se ky është një moment reflektimi dhe bashkimi shpirtëror për miliona besimtarë në mbarë botën.

“Në këtë muaj të shenjtë, myslimanët agjërojnë duke thelluar përkushtimin e tyre ndaj Zotit. Ata bashkohen me familjen dhe miqtë çdo mbrëmje në iftar. Të gjithë jemi në kërkim të paqes për botën,” tha ai.

Darka e iftarit në Shtëpinë e Bardhë është një traditë e rikthyer nga Trump, e cila shënon respektin për besimin dhe kulturën e myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit. Ngjarja kulmon me Fitër Bajramin, festën e madhe që shënon përfundimin e agjërimit.