Trump “shpërblen” besnikun e radhës, zgjedh CEO-n e Truth Social si shef të spiunazhit
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump të shtunën emëroi Devin Nunes, CEO-n e platformës Truth Social, që është në pronësi të manjatit amerikan, si shefin e ardhshëm të organit këshillues të inteligjencës së Presidencës.
“Devin do të bazohet në përvojën e tij, pasi ai ka shërbyer si kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe luajti një rol kyç në zbulimin e mashtrimit nga Rusia, për të më dhënë vlerësime të pavarura të efektivitetit dhe besueshmërisë së aktiviteteve të shërbimeve amerikane të inteligjencës”, tha Trump pas emërimit të Nunes, përmes një postimi në Truth Social.
Devin Nunes ka qenë për 19 vite (2003-2022) anëtar i Kongresit Amerikan dhe po ashtu ka qenë kryetar i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Ulët gjatë mandatit të parë të Donald Trump në presidencë, përgjatë viteve 2017-2021.
Trump sqaroi se Nunes do të mbetet CEO i Truth Social ndërsa do të drejtojë trupin këshillues të Shtëpisë së Bardhë. Bordi Këshillimor i Presidentit për Inteligjencën (PIAB ) ka autoritetin t’i japë kreut të shtetit amerikan vlerësime të pavarura të punës së shërbimeve të inteligjencës.
Emërimi u shpall dy javë pasi Trump, i cili do të betohet dhe do të marrë detyrën më 20 janar 2025, ka emëruar një tjetër besnik, Kass Patel, si drejtorin e ardhshëm të FBI-së.