Trump “shenjëstron” industrinë e kinematografisë: Tarifa 100% për filmat e prodhuar jashtë SHBA-ve!

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e një tarife 100% për filmat që nuk prodhohen në SHBA, në një lëvizje që pritet të trazojë industrinë globale të kinemasë.

Përmes një njoftimi në platformën e tij Truth Social, Trump tha se është duke autorizuar Departamentin e Tregtisë dhe Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së të ndërmarrin këtë hap, pasi sipas tij industria amerikane e filmit është në rënie për shkak të “përpjekjeve të bashkërenduara” nga vende të tjera që ofrojnë stimuj për produksionet ndërkombëtare.

“Përveç çdo gjëje tjetër, është mesazh dhe propagandë. NE DUAM PËRSËRI FILMA TË REALIZUAR NË AMERIKË!” – theksoi Trump, duke e cilësuar këtë fenomen si një “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Megjithatë, deklarata e presidentit nuk dha detaje konkrete se si do të zbatohen tarifat, nëse ato do të ndikojnë kompanitë amerikane që xhirojnë jashtë vendit apo do të përfshijnë edhe platforma si Netflix. Filma të fundit të prodhuar nga studio amerikane si “Deadpool & Wolverine”, “Wicked” dhe “Gladiator II” janë xhiruar jashtë SHBA-ve, dhe mbetet e paqartë se si do të ndikohet tregu.

Kjo lëvizje ka sjellë reagime ndërkombëtare. Ministri i Brendshëm i Australisë, Tony Burke, u shpreh se do të mbrojnë të drejtat e industrisë australiane të ekranit, ndërsa kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, tha se vendi i tij po pret detaje të mëtejshme mbi propozimin amerikan.