Trump: SHBA nuk do të dërgojë paqeruajtës në Ukrainë, i besoj Putinit për marrëveshjen e paqes
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA nuk do të dërgojë paqeruajtës në Ukrainë dhe se beson që Rusia do të respektojë një marrëveshje paqeje, nëse ajo arrihet.
Gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryeministrin britanik Keir Starmer, Trump tha se ka besim te presidenti rus Vladimir Putin. “Nuk besoj se ai do të shkelë fjalën e tij. Mendoj se marrëveshja do të mbahet dhe ata do të kenë siguri,” u shpreh ai.
Në të njëjtin takim, Trump pranoi një ftesë nga Mbreti Charles për një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, duke e konsideruar atë si një mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në lidhje me mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, Trump theksoi se SHBA nuk duhet të mbulojë të gjitha kostot dhe kërkoi më shumë kontribut nga vendet evropiane. Kryeministri britanik Starmer ndërhyri për ta korrigjuar, duke theksuar se ndihma britanike për Ukrainën nuk është dhënë e gjitha në formë kredie, por kryesisht si dhuratë.
Trump gjithashtu u distancua nga një koment i mëparshëm që e cilësonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si “diktator”, duke thënë se nuk e mbante mend ta kishte thënë këtë.
Ndërkohë, Starmer dhe liderë të tjerë evropianë kanë shprehur skepticizëm mbi besimin e Trump ndaj Putinit, duke theksuar se presidenti rus nuk e ka respektuar marrëveshjet e mëparshme.