Trump reagon pas telefonatave me Putin: Rusia dhe Ukraina do të nisin menjëherë negociatat për armëpushim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se Rusia dhe Ukraina do të nisin menjëherë negociatat për një armëpushim, pas bisedës së tij telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump bëri këtë njoftim përmes një postimi në platformën Truth Social, ku theksoi se telefonata me Putinin “shkoi shumë mirë” dhe se biseda kishte një ton optimist. “Toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera,” shkroi ai, duke shtuar se të dy liderët ranë dakord të punojnë për të ndërmjetësuar një armëpushim të qëndrueshëm.
Trump theksoi se Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, është shprehur i gatshëm të presë negociatat për paqe, duke i cilësuar këto bisedime si një mundësi të jashtëzakonshme për të dyja palët për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për të krijuar mundësi të mëdha ekonomike.
“Rusia dëshiron të marrë pjesë në tregti në shkallë të gjerë pas përfundimit të luftës, ndërsa Ukraina mund të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga procesi i rindërtimit të vendit,” tha Trump.
Ende nuk është e qartë se si këto bisedime do të ndryshojnë nga ato që filluan në Turqi të premten, kur delegacionet ukrainase dhe ruse u takuan për të diskutuar mundësinë e një armëpushimi të përkohshëm.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Ukrainës kanë kërkuar një armëpushim 30-ditor pa kushte dhe një angazhim për një paqe të qëndrueshme, ndërsa Rusia ka insistuar në tërheqjen e forcave ukrainase nga rajonet e okupuara.