Trump prezanton “kartën e artë” amerikane: Vizë 5 milionë dollarëshe për qëndrim të përhershëm

Presidenti Donald Trump ka njoftuar një program të ri vizash, të quajtur “karta e artë”, e cila do t’u ofrojë qëndrim të përhershëm në SHBA dhe rrugë drejt shtetësisë të huajve që investojnë 5 milionë dollarë.

Gjatë mbledhjes së parë të kabinetit në mandatin e tij të dytë, Trump deklaroi se kjo vizë do të jetë ekskluzivisht për “njerëzit e nivelit të lartë” dhe se pritet të shitet “me ritme të çmendura”.

Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, tha se kjo vizë do të zëvendësojë programin aktual EB-5, i cili kërkon investime më të ulëta dhe krijimin e të paktën 10 vendeve të punës. Lutnick argumentoi se programi EB-5 ka qenë “i mbikëqyrur dhe ekzekutuar dobët” dhe se “karta e artë” do të jetë një përmirësim i tij.

Trump sugjeroi se të ardhurat nga ky program mund të përdoren për të shlyer borxhin publik të SHBA. Megjithatë, ende nuk janë bërë të qarta detajet mbi kriteret e përzgjedhjes dhe kufirin e vizave që do të lëshohen.

Në vitin fiskal 2024, Departamenti i Shtetit lëshoi mbi 12,000 viza EB-5, një numër rekord për këtë program. Me vizën e re, Trump synon të tërheqë investitorë të pasur dhe të krijojë vende të reja pune në SHBA.