Trump planifikon të dëbojë 1 milion emigrantë në 2025! Në listë edhe Kosova si vend…

Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur përgatitjet për një operacion të paprecedent të dëbimit të emigrantëve, me objektivin për të larguar nga SHBA mbi 1 milion persona brenda vitit 2025. Lajmi u raportua nga media amerikane, duke cituar burime federale të përfshira në planifikim.

Ky do të ishte niveli më i lartë i dëbimeve në historinë moderne të SHBA, duke tejkaluar edhe rekordin e administratës së Barack Obamës, kur në vitin 2012 u dëbuan rreth 400 mijë emigrantë.

Planet për këtë fushatë masive dëbimi janë pjesë e zotimeve të Trump gjatë fushatës presidenciale dhe janë mbështetur nga një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh të tij, ku më i zëshmi është këshilltari Stephen Miller. Ai po bashkëpunon me zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, por edhe me agjenci të tjera për të ndërtuar infrastrukturën ligjore dhe logjistike të nevojshme.

Emigrantët jo domosdoshmërisht do kthehen në vendin e tyre të origjinës. Një pjesë e strategjisë përfshin negocimin me disa shtete të treta, të gatshme për të pranuar emigrantë që nuk janë shtetas të tyre. Në listën e vendeve me të cilat SHBA po negocion janë: Libia, Ruanda, Benini, Moldavia, Mongolia dhe Kosova.