Trump pezullon për 90 ditë tarifat e reja, përjashton Kinën dhe rrit tarifat ndaj saj në 125%

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të pezullojë për 90 ditë tarifat e reja ndaj vendeve që nuk kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Shteteve të Bashkuara, duke përjashtuar nga kjo listë Kinën, për të cilën ka paralajmëruar rritje të ndjeshme të tarifave.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkruan:

“Bazuar në faktin se më shumë se 75 vende kanë thirrur përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Departamentet e Tregtisë, Thesarit dhe USTR, për të negociuar një zgjidhje për temat që diskutohen në lidhje me Tregtinë, Barrierat Tregtare, Tarifat, por nuk kanë marrë masa ndëshkuese ndaj SHBA-së, kam autorizuar një pauzë 90-ditore dhe një tarifë reciproke të ulur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, prej 10%.”

Në të njëjtën kohë, Trump ka njoftuar një përshkallëzim të përplasjes me Kinën, duke rritur tarifat ndaj saj në 125%.

“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, rrisim tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%. Shpresojmë se në të ardhmen e afërt, Kina do të kuptojë se ditët e sulmimit të SHBA-së dhe vendeve të tjera, nuk janë më të pranueshme,” shkroi ai.

Ky vendim vjen në një kohë kur tensionet tregtare globale janë në rritje, ndërsa politikat ekonomike të Trump vijojnë të ndikojnë ndjeshëm në stabilitetin financiar ndërkombëtar.