Trump pezullon ndihmën ushtarake për Ukrainën, analiza e Sky News: Ushtria ukrainase mund të paralizohet brenda dy muajsh
Vendimi i administratës Trump për të pezulluar ndihmat ushtarake për Ukrainën ka ngritur shqetësime për fatin e miliarda dollarëve armësh dhe pajisjesh të avancuara të dërguara deri më tani nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas një analize të Sky News, SHBA ka dërguar 21 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës. Pjesa më e madhe e kësaj ndihme përfshin armatim të rëndë si sistemet raketore HIMARS, raketat balistike ATACMS, tanket Abrams dhe automjetet Bradley.
Eksperti i mbrojtjes Paul Moorcraft deklaroi për Sky News:
“Afro gjysma e pajisjeve ushtarake të Ukrainës vjen nga SHBA dhe janë pajisjet më të avancuara – qoftë informacioni, satelitët apo tanket. Kjo do ta paralizojë ushtrinë ukrainase brenda rreth dy muajsh.”
Një ndër armët më të rëndësishme është HIMARS, që Zelensky e ka vlerësuar si faktor kyç në kundërofensivën e Ukrainës. Sipas Sky News, SHBA ka dorëzuar 32 nga 35 sistemet HIMARS që përdoren nga ushtria ukrainase.
SHBA ka alokuar 14.6 miliardë dollarë për armatim të rëndë, shifra më e madhe nga çdo shtet individual, megjithëse më e vogël se ndihma e përgjithshme e BE-së (18.9 miliardë dollarë).
Pezullimi i ndihmës amerikane vë në rrezik edhe aksesin e Ukrainës në rrjetin satelitor Starlink, që është thelbësor për komunikimin e forcave ukrainase. Sipas Sky News, SHBA kishte kërcënuar se do ta ndërpriste këtë shërbim nëse Zelensky nuk pranonte një marrëveshje për mineralet strategjike.
Në gjashtë javët që nga inaugurimi i Trump, firma analitike Oryx ka verifikuar humbjen e qindra automjeteve ukrainase, përfshirë 57 tanke. Nëse ndihma amerikane nuk rifillon, Ukraina rrezikon të mbetet pa pajisje të rëndësishme në fushën e betejës.