Trump përmend Kosovën e Serbinë në Samitin e NATO-s: Ndihmuam në uljen e tensioneve, si në Indi-Pakistan dhe Ruandë-Kongo

Presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur Kosovën dhe Serbinë si një nga shembujt e përpjekjeve të administratës së tij për zgjidhjen paqësore të konflikteve ndërkombëtare. Gjatë një konference për shtyp në Samitin e NATO-s në Hagë, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar dhe ndihmuar në uljen e tensioneve në disa rajone të botës.

“E zgjidhëm Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Të premten kemi Kongon dhe Ruandën, ajo ishte një luftë e egër,” tha presidenti amerikan, duke shtuar se përpjekje të tilla nuk janë ndërmarrë më parë nga ndonjë udhëheqës tjetër global.

Në të njëjtën konferencë, Trump zbuloi edhe një bisedë të fundit me presidentin rus Vladimir Putin, i cili i kishte ofruar ndihmë për të ndërmjetësuar një zgjidhje për konfliktin SHBA-Iran. “Ai më telefonoi para disa ditësh. Më tha: ‘A mund të të ndihmoj me Iranin?’ Unë i thashë: ‘Jo, mund të më ndihmosh me Rusinë.’”

Lidhur me luftën në Ukrainë, Trump tha: “Di një gjë, ai do të donte ta mbyllte këtë çështje. Për të është një rrëmujë e madhe.” Ai u shpreh gjithashtu i befasuar nga mënyra sesi është zhvilluar situata: “Mendoj se Putin ka qenë i keqkëshilluar. Mendoja se do të ishte zgjidhur lehtësisht.”