Trump për “Time”: Krimea do të mbetet me Rusinë, Zelensky e di këtë – Akuza për zgjatjen e luftës në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se gadishulli i Krimesë do të mbetet me Rusinë dhe se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është i vetëdijshëm për këtë realitet. Deklarata u bë gjatë një interviste për revistën Time, e zhvilluar të martën dhe e publikuar sot, ku Trump ndau pikëpamjet e tij mbi zgjidhjen e mundshme të konfliktit në Ukrainë dhe mënyrën se si ai do të trajtonte bisedimet për paqe nëse do të ishte në pushtet.

“Zelensky e kupton këtë,” tha Trump, duke iu referuar situatës në Krime, “dhe të gjithë e kuptojnë se gadishulli ka qenë me ta (Rusinë) për një kohë të gjatë.”

Krimea, një gadishull strategjik në jug të Ukrainës përgjatë Detit të Zi, u aneksua nga Rusia në vitin 2014, gjatë presidencës së Barack Obamës – një veprim që nuk është njohur ndërkombëtarisht dhe që shënoi fillimin e tensioneve serioze mes dy vendeve, shumë kohë përpara pushtimit të plotë të vitit 2022.

Trump u përpoq të theksonte distancën e tij nga ajo ngjarje, duke thënë: “Por ajo u dha nga Obama. Nuk u dha nga Trump.”

Ai gjithashtu kritikoi Zelenskyn për refuzimin e negociatave me presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar se po zgjat në mënyrë të qëllimshme luftën. “Ata i kanë pasur nëndetëset e tyre atje për shumë vite përpara çdo periudhe për të cilën po flasim. Njerëzit flasin kryesisht rusisht në Krime,” shtoi Trump, duke përsëritur argumente që Rusia i ka përdorur shpesh për të justifikuar pushtimin.