Trump parashtron qasjen ndaj ushtrisë dhe konflikteve: Do ta masim suksesin tonë jo vetëm me betejat që do fitojmë, por edhe me luftërat që do përfundojmë

Në fjalimin e tij inaugurues, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka paraqitur qasjen e tij për forcimin e ushtrisë amerikane dhe trajtimin e konflikteve ndërkombëtare. Ai premtoi se do të ndërtojë “ushtrinë më të fortë që bota ka parë ndonjëherë”, duke theksuar se suksesin e SHBA-së do ta masim jo vetëm me betejat që do të fitojmë, por edhe me luftërat që do të përfundojmë dhe, më e rëndësishmja, me ato luftëra në të cilat nuk do të hyjmë kurrë.

Trump gjithashtu bëri të qartë se dëshiron të jetë një “paqebërës dhe unifikues”, duke e parë si objektiv të rëndësishëm rimëkëmbjen e respektit dhe forcës së kombit amerikan. Ai shtoi se Amerika do të rimarrë vendin e saj si “kombin më të madh, më të fuqishëm dhe më të respektuar në tokë”.

Fjalimi i tij u fokusua gjithashtu në krijimin e mundësive për një siguri më të madhe për qytetarët amerikanë dhe rritjen e ndikimit të vendit në skenën ndërkombëtare. Trump premtoi që përmes forcimit të ushtrisë dhe vendosjes së paqes, ai do të drejtojë SHBA-në drejt një epoke të re.