Trump: Pa u takuar unë me Putinin, nuk merr fund lufta në Ukrainë! Zyrtarët rusë: Duhet përgatitje e gjatë
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se pa një takim të tij me presidentin rus Vladimir Putin, nuk do të ketë përfundim të konfliktit në Ukrainë, i cili po zgjat që prej vitit 2022 dhe konsiderohet si lufta më e gjatë në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.
“Ne duhet të bëhemi bashkë. Mendojmë se duhet të bëjmë një marrëveshje me Putinin. Do të përdor levat e mia ndaj tij nëse do të jetë e domosdoshme,” tha Trump, duke lënë të kuptohet se ai mund të luajë një rol të rëndësishëm në përfundimin e konfliktit.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se një takim mes dy liderëve është “i nevojshëm”, por kërkon përgatitje të gjatë dhe nuk duhet të zhvillohet pa një kornizë të qartë për rezultate konkrete.
Trump gjithashtu befasoi me një koment të papritur lidhur me përparimin e trupave ruse, duke thënë se Putin do të kishte pushtuar Kievin brenda pesë orësh, po të mos kishin ngecur në baltë tanket ruse.
Këto deklarata vijnë pas bisedimeve të dështuara për paqe mes delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll, të parat negociata direkte pas më shumë se tre vitesh, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar me sulme të vazhdueshme ndaj civilëve.