Trump nga Haga: Putin ndoshta synon më shumë se Ukrainën, por lufta ka dalë jashtë kontrollit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka komentuar në një konferencë për shtyp në Hagë mbi ambiciet e mundshme territoriale të presidentit rus Vladimir Putin, përtej kufijve të Ukrainës.

I pyetur nëse beson se Putini mund të synojë territore të tjera evropiane, Trump u përgjigj:

“Është e mundur. Di një gjë, ai do të donte ta mbyllte këtë çështje. Për të është një rrëmujë e madhe.”

Në vijim të deklaratave të tij gjatë samitit të NATO-s, Trump u shpreh i befasuar nga mënyra se si është zhvilluar lufta në Ukrainë, duke theksuar:

“Mendoj se Putin ka qenë i keqkëshilluar. Jam vërtet i habitur. Mendoja se do të ishte zgjidhur lehtësisht.”

Ai përmendi edhe disa raste të tjera ndërkombëtare ku Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol në shmangien ose zbutjen e konflikteve, duke përfshirë tensionet mes Indisë dhe Pakistanit.

Sipas Trump, lufta në Ukrainë “duhej të ishte mbyllur tashmë”, duke nënkuptuar se zgjatja e saj po i shkakton dëm të dyanshëm, jo vetëm Ukrainës por edhe imazhit të Rusisë në skenën ndërkombëtare.