“Trump, mos na dërgoni te thikat e kasapit në Kabul”/ Reuter: Afganët në Shqipëri të bllokuar nga vendimi i presidentit amerikan
Media prestigjioze “Reuters” ka raportuar mbi gjendjen e pasigurt të qindra afganëve të strehuar në Shqipëri, të cilët preken nga vendimi i fundit i presidentit Donald Trump për pezullimin e ndihmës për rivendosjen e refugjatëve. Ky urdhër ekzekutiv ka lënë të bllokuar shumë prej tyre në vende tranziti si Shqipëria, duke u mohuar mundësinë për të vazhduar drejt Shteteve të Bashkuara.
“Nuk e di nëse do të hipim ndonjëherë në atë avion, dhe nëse po, nëse do të shkoj në Kabul apo në Shtetet e Bashkuara. Nëse kthehemi në Afganistan, do të na vrasin, sepse për talebanët ne jemi në thelb amerikanë dhe armiqtë e tyre numër një,” tha Amini, një emigrant afgan i strehuar në Shëngjin.
“Zoti Trump, mos na dërgoni te thikat e kasapit në Kabul,” tha një tjetër refugjat, duke bërë thirrje për ndihmë nga administrata amerikane.
Sipas “Reuters”, shumë prej këtyre afganëve kanë punuar si përkthyes dhe bashkëpunëtorë për forcat amerikane gjatë luftës në Afganistan, duke u kthyer në shënjestra të talebanëve pas tërheqjes së trupave të NATO-s. Raporte të OKB-së kanë dokumentuar raste të arrestimeve, torturave dhe vrasjeve të ish-ushtarëve dhe zyrtarëve afganë nga regjimi taleban.
Qyteti bregdetar i Shëngjinit, ku aktualisht janë strehuar 300 afganë, është bërë një strehë e përkohshme për ta, por pasiguria për të ardhmen e tyre është në rritje. Vendimi i Trump për të pezulluar ndihmën e nevojshme për transportin dhe rivendosjen e refugjatëve ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim, ndërsa organizatat ndërkombëtare i bëjnë thirrje administratës të rishikojë politikat e saj për të adresuar këtë krizë humanitare.