“Trump Mobile”/ Donald Trump prezanton smartfonin e ri dhe shërbimin celular me biseda të pakufizuara
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hyrë fuqishëm në tregun e teknologjisë celulare, duke prezantuar zyrtarisht një smartfon të ri dhe shërbimin celular për qytetarët amerikanë. Projekti më i fundit i biznesit të tij quhet “Trump Mobile”, një ofertë që kombinon teknologjinë me stilin patriotik dhe markën e njohur Trump.
Sipas njoftimit zyrtar të bërë nga kompania në pronësi të Trump, smartfoni i ri T1 do të dalë në treg në muajin shtator dhe do të kushtojë 499 dollarë. Pajisja do të ketë një dizajn unik, me kuti metalike ngjyrë ari dhe të gdhendur një flamur amerikan, duke i dhënë një pamje të veçantë dhe simbolike që synon të tërheqë mbështetësit e Trump dhe qytetarët me ndjenja patriotike.
Në të njëjtën kohë, Trump Mobile do të ofrojë një paketë mujore me vlerë 47.45 dollarë, e cila përfshin:
-Biseda të pakufizuara
-Mesazhe të pakufizuara
-Internet të pakufizuar
-Shërbim ndihme rrugore
-Përfitime për shërbime tele-mjekësore dhe farmaci
Ky projekt, sipas ekspertëve të tregut, është një përpjekje e radhës e Donald Trump për të zgjeruar aktivitetet e tij biznesore duke shfrytëzuar popullaritetin dhe ndikimin që gëzon si figurë politike. Lidhja e ngushtë e produktit me imazhin e tij si ish-president pritet të jetë një nga elementët kryesorë të strategjisë së marketingut.