Trump kritikon Macron dhe Starmer: S’kanë bërë asgjë për të ndalur luftën në Ukrainë, Zelensky nuk është i rëndësishëm për bisedimet e paqes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka hedhur akuza të forta ndaj presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Keir Starmer, duke i akuzuar se “nuk kanë bërë asgjë” për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në një intervistë për Fox News, Trump theksoi se nuk e sheh të nevojshme që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Rusinë. “Unë nuk mendoj se ai është shumë i rëndësishëm të jetë në takime. Ai e bën shumë të vështirë arritjen e marrëveshjeve,” u shpreh Trump.

Duke komentuar për takimet e ardhshme me Macron dhe Starmer, Trump u shpreh prerë: “Ata nuk bënë asgjë… Asnjë takim me Rusinë!”

Megjithatë, ai e cilësoi Macron si një “mik të tij”, ndërsa për Starmer u shpreh se është “një djalë shumë i mirë”, por theksoi se asnjëri prej tyre nuk ka kontribuar në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur bisedimet e mundshme të paqes midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë rikthyer në vëmendje, pas takimeve të zhvilluara më 18 shkurt në Arabinë Saudite. Ndërkohë, pozicioni i Trump përjashton rolin aktiv të Zelensky-t në këto negociata, duke e konsideruar si një faktor që e vështirëson arritjen e marrëveshjeve.