Trump kërkon anulimin e menjëhershëm të gjyqit ndaj Netanyahut: Është një gjueti shtrigash kundër një heroi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj gjyqit për korrupsion që po zhvillohet kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të procesit gjyqësor.

Në një postim të gjatë në rrjetin e tij Truth Social, Trump e quajti gjyqin një “gjueti shtrigash” të papranueshme ndaj një “heroi të Izraelit”.

“Një gjueti e tillë shtrigash ndaj një njeriu që ka dhënë kaq shumë, është e paimagjinueshme për mua. Ai meriton diçka shumë më të mirë se kjo dhe edhe vetë shteti i Izraelit po ashtu. Gjyqi ndaj Bibi Netanyahut duhet të ANULOHET MENJËHERË,” shkruan Trump.

Ai shtoi se nëse kjo nuk ndodh, atëherë duhet “t’i jepet falje një heroi të madh që ka bërë kaq shumë për shtetin e tij”. Sipas tij, ishte Amerika ajo që e shpëtoi Izraelin dhe do të jetë përsëri Amerika që do të shpëtojë Benjamin Netanyahun.

Trump e përshkroi Netanyahun si një “luftëtar më shumë se çdo tjetër në historinë e Izraelit”, duke kujtuar bashkëpunimin e ngushtë që kanë pasur në përballjen me Iranin, të cilin ai e cilëson si një “armik të përhershëm të Izraelit”. Ish-presidenti amerikan u shpreh i tronditur që shteti izraelit po e lejon këtë “shfaqje horror politike” të vazhdojë kundër një lideri në detyrë.

Duke ironizuar akuzat që rëndojnë mbi Netanyahun, Trump tha se ai po gjykohet për “puro, lodra Bugs Bunny dhe akuza të tjera të padrejta me qëllim që t’i shkaktojnë dëm të madh”.

Gjyqi ndaj kryeministrit Netanyahu ka nisur në maj të vitit 2020, por është shtyrë disa herë për shkak të situatës në Rripin e Gazës dhe zhvillimeve në Liban. Ai përballet me akuza për mashtrim, shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti, përfshirë favore të dyshuara ndaj kompanisë së telekomunikacionit Bezeq dhe pranimin e dhuratave luksoze nga miq miliarderë.

Trump e mbyll mesazhin e tij duke theksuar: “Ndoshta nuk ka asnjë që ka bashkëpunuar më mirë me presidentin e SHBA-së, mua, sesa Bibi Netanyahu. Është koha që Amerika ta shpëtojë përsëri”.