Trump kërcënon t’i heqë 3 miliardë dollarë Harvardit: Shumë antisemit, më mirë t’ia japim shkollave tregtare

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka shpërthyer sërish ndaj Universitetit të Harvardit, duke paralajmëruar një masë drastike: tërheqjen e 3 miliardë dollarëve nga financimi federal për universitetin më të pasur në Amerikë dhe ridrejtimin e tyre drejt shkollave tregtare në vend.

Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump u shpreh:

“Çfarë investimi i madh do të ishte kjo për SHBA-të dhe sa shumë e nevojshme!!!”, duke e akuzuar njëkohësisht Harvardin si “shumë antisemit” dhe jopatriotik.

Ai kritikoi faktin që një pjesë e madhe e studentëve në këtë universitet vijnë nga vende të huaja që, sipas tij, “nuk janë aspak mike me Shtetet e Bashkuara” dhe nuk kontribuojnë financiarisht për arsimin e qytetarëve të tyre në SHBA.

“Pse Harvard nuk thotë se pothuajse 31% e studentëve të tij vijnë nga vende të huaja dhe këto vende nuk paguajnë asnjë qindarkë për arsimimin e tyre?”, shkroi Trump, duke shtuar se kërkon transparencë nga universiteti dhe që të ndalë kërkesat për fonde federale.

Trump po ashtu mbrojti vendimin e administratës së tij për të ndaluar pranimin e studentëve të huaj në Harvard – një masë e pezulluar më pas nga një gjyqtar federal, pas ankesës së universitetit në gjykatën e Masaçusetsit.

Një tjetër përfaqësuese e administratës Trump, Sekretarja për Sigurinë e Brendshme Kristi Noem, njoftoi pak ditë më parë ndalimin e të drejtës së Harvardit për të pranuar studentë të huaj, me arsyetimin se universiteti refuzon mbikëqyrjen nga autoritetet federale për proceset e pranimit dhe punësimit të stafit akademik.

Trump dhe ekipi i tij kanë akuzuar vazhdimisht Harvardin se përhap ideologji të majta ekstreme, se ka lidhje me Partinë Komuniste Kineze, dhe se është kthyer në qendër të antisemitizmit dhe mungesës së patriotizmit akademik.

Financimet për Harvardin janë reduktuar prej kohësh nga administrata Trump. Sipas të dhënave, mbi 2 miliardë dollarë janë ndërprerë më parë, çka ka sjellë pezullimin e disa projekteve kërkimore. Universiteti, ndërkohë, ka një fond të trashëguar që kap vlerën e 53.2 miliardë dollarëve (në vitin 2024), duke e bërë më të pasurin në SHBA.

Sipas faqes zyrtare të Harvardit, rreth 27% e studentëve të këtij viti janë ndërkombëtarë (rreth 6.700), të cilët paguajnë tarifa shumë të larta për shkollimin. Ndër vite, ky universitet ka prodhuar 162 fitues të Çmimit Nobel dhe renditet ndër institucionet më të vlerësuara akademike në botë.