Trump kërcënon Rusinë me sanksione të reja bankare
Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi sot se do të vendosë sanksione të reja bankare, gjoba dhe tarifa të tjera ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
“Duke pasur parasysh se Rusia aktualisht po ‘bombardon’ Ukrainën në fushën e betejës, unë po shqyrtoj seriozisht sanksione bankare në shkallë të gjerë, sanksione dhe tarifa kundër Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe marrëveshja përfundimtare e paqes”, shkroi Trump në rrjetin e tij social “Truth”.
“Për Rusinë dhe Ukrainën, ejani në tryezën e bisedimeve tani, para se të jetë tepër vonë”. Faleminderit!”
Rusia nisi sot një sulm masiv me dron dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, me presidentin Volodymyr Zelensky që bëri thirrje edhe një herë për një armëpushim në ajër dhe në det.
Në këtë “sulm të kombinuar”, Ukraina ishte shënjestër e të paktën 58 raketave ruse dhe 194 dronë, sipas ushtrisë ukrainase. Presidenti amerikan urdhëroi të hënën ndalimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, pas konfrontimit të tij të ashpër të premten e kaluar me Zelensky në Zyrën Ovale.
Trump ka ndërmarrë hapa të paprecedentë drejt afrimit me Rusinë e Vladimir Putinit, ndërsa deklaroi se donte të vazhdonte presionin ndaj Moskës.
Delegacionet amerikane dhe ukrainase do të takohen në Arabinë Saudite të martën për të diskutuar një kornizë për një marrëveshje paqeje, sipas Uashingtonit. Amerikanët dhe rusët ishin takuar tashmë në mbretërinë e Arabisë Saudite për të filluar negociatat.