Trump kërcënon Hamasin: Nëse pengjet nuk lirohen deri të shtunën, “ferri do të shpërthejë”
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur një afat për lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi, duke dhënë një paralajmërim të ashpër. Nga Zyra Ovale, ai tha se nëse të gjithë pengjet nuk lirohen deri të shtunën në orën 12, armëpushimi në Gaza do të konsiderohet i pavlefshëm.
“Sa më përket mua, nëse të gjithë pengjet nuk kthehen deri të shtunën në orën 12 – mendoj se është një kohë e përshtatshme – do të thosha, anulojeni dhe gjithçka është e pavlefshme. Lëreni ferrin të shpërthejë,” deklaroi Trump.
Nuk është e qartë nëse ai i referohej mesditës apo mesnatës së së shtunës, as në cilën zonë kohore e bazoi afatin.
Trump shtoi se të gjithë pengjet duhet të lirohen menjëherë dhe jo në mënyrë graduale. I pyetur nga BBC nëse kërcënimi i tij nënkuptonte një hakmarrje të Izraelit ndaj Hamasit, Trump tha: “Do ta zbuloni, dhe ata do ta zbulojnë gjithashtu. Hamasi do ta zbulojë çfarë dua të them.”
Ish-presidenti nuk përjashtoi përfshirjen e SHBA-së në situatë, duke thënë: “Do të shohim çfarë do të ndodhë.”
Takimi me mbretin e Jordanisë
Ndërkohë, mbreti i Jordanisë, Abdullah II, ka mbërritur në Uashington për një takim me Trump. Një gazetar e pyeti Trumpin se si planifikon ta bindë mbretin për të pranuar më shumë palestinezë, ide që ai e ka propozuar si një zgjidhje të mundshme.
“Mendoj se ai do të pranojë, dhe mendoj se edhe vende të tjera do të pranojnë,” u përgjigj Trump. “Kanë zemër të mirë.”
Megjithatë, Jordania dhe vende të tjera në rajon kanë kundërshtuar këtë propozim. I pyetur nëse do të ndalte ndihmën financiare për Jordaninë dhe Egjiptin nëse nuk pranojnë refugjatë palestinezë, Trump tha: “Po, ndoshta. Pse jo? Nëse nuk e bëjnë, mund ta ndal ndihmën.”