Djali i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Donald Trump Jr., ka befasuar me deklaratat e tij gjatë një podkasti me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Gjatë bisedës në emisionin e tij “Triggered”, Trump Jr. pohoi se bombardimi i Serbisë nga NATO në vitin 1999 u bë për të larguar vëmendjen nga skandali i ish-presidentit Bill Clinton me Monica Lewinsky.
Ai shtoi se Serbia vazhdon të mbajë qëndrimin se Kosova është pjesë e saj dhe kritikoi qëndrimin e vendeve perëndimore, duke sugjeruar se ka standarde të dyfishta në krahasimin e situatës së Kosovës me atë të Ukrainës.
Në anën tjetër, presidenti serb Vuçiç u shpreh se Serbia është e hapur për një marrëveshje me Kosovën, por kërkoi që ajo të mos jetë e njëanshme dhe të respektojë, sipas tij, integritetin territorial të Serbisë.
Trump Jr., i cili ka afro 15 milionë ndjekës në platformën “X” dhe një ndikim të madh tek të rinjtë konservatorë, ka shprehur më parë qëndrimin se ushtarët amerikanë të stacionuar në Kosovë duhet të kthehen në shtëpi.