Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur hapur zemërimin e tij ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për shkak të mungesës së progresit në bisedimet për paqe në Ukrainë. Ai ka paralajmëruar masa të ashpra kundër Moskës, duke përfshirë vendosjen e tarifave të reja për eksportet e naftës ruse.
Në një deklaratë për NBC News, Trump theksoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje për ndalimin e luftimeve dhe nëse Rusia konsiderohet përgjegjëse për konfliktin – “edhe pse mund të mos jetë”, siç u shpreh ai – atëherë SHBA do të vendosë tarifa të ndjeshme ndaj naftës ruse.
“Kjo do të thotë se nëse blini naftë nga Rusia, nuk do të jeni në gjendje të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara,” tha Trump, duke paralajmëruar tarifa nga 25% deri në 50% për çdo eksport të naftës ruse.
Ndërkohë, ai njoftoi gjithashtu se do të flasë sërish me Putinin brenda javës për të diskutuar mbi situatën në Ukrainë dhe mundësinë e një marrëveshjeje për paqen.
Rusia ende nuk ka reaguar ndaj këtyre kërcënimeve, por më herët ka kundërshtuar çdo sanksion të Perëndimit, duke i cilësuar ato si “të paligjshme” dhe si një përpjekje për të dëmtuar ekonominë ruse.
Tensionet janë shtuar pas propozimit të Putinit për të vendosur një qeveri të përkohshme në Ukrainë, nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore, si një mënyrë për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje paqeje.
Trump, megjithatë, e konsideroi këtë propozim të papranueshëm dhe theksoi se SHBA nuk do të lejojë që situata të vazhdojë të përshkallëzohet.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.