Trump i drejtohet amerikanëve: Zoti më shpëtoi për ta bërë Amerikën sërish të madhe!
Presidenti i ri i SHBA, Donald Trump, ka dërguar një mesazh të fuqishëm për qytetarët amerikanë pas inaugurimit të tij si president i 47-të, duke shprehur angazhimin e tij për të rikthyer sigurinë, paqen dhe drejtësinë në vend. Në një fjalim emocionues, Trump theksoi se zgjedhja e tij për të rikthyer presidencën ishte një detyrë për të korrigjuar padrejtësitë dhe për t’i kthyer qytetarët drejtësinë dhe lirinë e tyre.
“Jeta ime u shpëtua për një arsye. Janë përpjekur të më heqin dhe t’më marrin jetën, por Zoti më shpëtoi për ta bërë Amerikën sërish të madhe,” tha Trump, duke reflektuar mbi sfidat që ka kaluar gjatë periudhës së tij të parë në detyrë dhe pas përpjekjeve për të minuar autoritetin e tij.
Ai shtoi se çdo ditë e administratës së tij do të përqendrohet në tejkalimin e krizave dhe forcimin e vendit, me synimin për të rikthyer shpresën dhe sigurinë për çdo qytetar amerikan.
“Fitorja jonë tregoi se populli është i bashkuar. Kemi marrë votën e miliona amerikanëve dhe dua t’ju falënderoj për dashurinë që më keni dhënë. Nuk do ta harroj këtë, e kam dëgjuar zërin tuaj,” përfundoi Trump, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për mbështetjen e popullit amerikan.