Trump firmos vendimin: SHBA nuk do ndërhyjë më në zgjedhjet e vendeve të huaja! (Preket edhe Shqipëria)
Administrata Trump u thotë diplomatëve amerikanë jashtë vendit të mos japin mendime për zgjedhjet e huaja.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i udhëzoi diplomatët amerikanë në mbarë botën të mos komentojnë mbi drejtësinë ose integritetin e zgjedhjeve të kryera nga vendet e huaja, sipas një shënimi të brendshëm të parë nga Reuters të enjten, në një largim të rëndësishëm nga qasja tradicionale e Uashingtonit për promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme jashtë vendit.
Urdhri, i dërguar të gjitha posteve diplomatike të SHBA-së në një kabllogram të brendshëm të Departamentit të Shtetit më 17 korrik, thotë se Departamenti nuk do të lëshojë më deklarata në lidhje me zgjedhjet ose postime në mediat sociale nga Uashingtoni, përveç nëse ka një interes “të qartë dhe bindës” të politikës së jashtme.
“Kur është e përshtatshme të komentojmë mbi zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në shënimin e interesave të përbashkëta të politikës së jashtme”, thuhej në kabllogram, i cili ishte shënuar si “i ndjeshëm”, por jo i klasifikuar.
“Mesazhet duhet të shmangin dhënien e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë”, thuhej në të.
Shtohej se mesazhet në lidhje me zgjedhjet duhet të vijnë ose nga vetë Sekretari ose nga zëdhënësi i Departamentit dhe u ndalohej diplomatëve amerikanë të lëshonin deklarata të tilla pa miratimin e qartë nga udhëheqja e lartë e agjencisë.
Kablegrami i referohej fjalimit të Presidentit Donald Trump më 13 maj në Riad, kur ai kritikoi atë që ai e quajti “ndërhyrës perëndimorë” që u tregonin vendeve të Lindjes së Mesme se si të qeverisnin punët e tyre, duke thënë se kjo nuk ishte më punë e Uashingtonit dhe se po kërkonte të krijonte partneritete.
“Ndërsa Shtetet e Bashkuara do t’i përmbahen fort vlerave të tyre demokratike dhe do t’i festojnë ato vlera kur vendet e tjera të zgjedhin një rrugë të ngjashme, Presidenti e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin partneritete me vendet kudo që përputhen interesat tona strategjike”, thuhej në direktivë.
Kur u pyet për kabllogramin, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në komentet me email përsëriti disa nga pikat në direktivë dhe tha se kjo qasje ishte në përputhje me theksin e administratës mbi “sovranitetin kombëtar”.