Trump bën thirrje për bashkëpunim mes Zelenskyt dhe Putinit: Ne mineralet do i marrim

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka habitur sërish me një deklaratë të papritur, duke sugjeruar që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologu i tij rus Vladimir Putin duhet “të bëhen bashkë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Gjatë një deklarate përpara gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se bashkëpunimi mes dy liderëve është çelësi për të ndalur konfliktin që ka marrë miliona jetë.

“Mendoj se presidenti Putin dhe presidenti Zelensky do të duhet të bëhen bashkë. Sepse, a e dini çfarë? Ne duam t’iu japim fund vrasjeve të miliona njerëzve. Mendoj se kemi shanse për të arritur marrëveshjen. Më është dashur të sigurohem që edhe Rusia e dëshiron një gjë të tillë,” deklaroi Trump.

Ai iu referua gjithashtu një takimi të mbajtur këtë javë në Riad të Arabisë Saudite, ku zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë diskutuan për përfundimin e konfliktit.

Ndërkohë, Trump bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e 9 majit në Moskë, për të shënuar përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, ai theksoi se SHBA është shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme për mineralet e Ukrainës.

“Jemi shumë pranë nënshkrimit, dhe mendoj se këtë ujdi e duan edhe ata vetë. Është e rëndësishme, është marrëveshje e madhe,” tha Trump.

Sipas burimeve të agjencisë Reuters, Uashingtoni ka përdorur si argument në negociata edhe kërcënimin për të tërhequr sistemin Starlink të Elon Muskut mbi Ukrainë, nëse nuk arrihet një kompromis.

Ukraina zotëron rezerva të çmuara mineralesh të rralla si uraniumi dhe titani, por mungesa e kapaciteteve përpunuese ka penguar shfrytëzimin e tyre prej dekadash. Shtetet e Bashkuara synojnë që kjo marrëveshje të sjellë përfitime strategjike dhe ekonomike, duke siguruar burime të vlefshme për industrinë amerikane.