Shtëpia e Bardhë ka njoftuar anulimin e memorandumit të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) për ngrirjen e granteve dhe kredive federale, vetëm disa orë pasi një gjykatë e ndaloi përkohësisht ekzekutimin e tij.
Memorandumi, i nënshkruar nga Presidenti Donald Trump, kishte si synim reduktimin e shpenzimeve federale, por u sfidua menjëherë nga një grup organizatash që përfaqësonin përfituesit e këtyre fondeve, duke çuar në një padi të cilën gjykata e pranoi. Vendimi i gjykatës do të mbetet në fuqi deri të hënën, kur pritet shqyrtimi i mëtejshëm i çështjes.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se anulimi i memorandumit nuk nënkupton anulimin e ngrirjes së fondeve, por është bërë për të shmangur konfuzionin e krijuar nga vendimi i gjykatës.
“Urdhrat ekzekutivë të Presidentit për financimin federal mbeten në fuqi dhe do të zbatohen me rigorozitet,” tha ajo.
Ky vendim vjen në kuadër të masave të reja të administratës Trump për të ulur shpenzimet, përfshirë ndryshime në të drejtat e komunitetit transgjinor, kufizime mbi shtetësinë automatike dhe reduktimin e fuqisë punëtore federale, duke u ofruar punonjësve mundësinë të largohen me pagesë për tetë muaj.
Pavarësisht bllokimit të përkohshëm nga gjykata, Shtëpia e Bardhë beson se ky memorandum ka nxitur tashmë agjencitë federale të marrin masa për zbatimin e politikave të reja të presidentit.